Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka uruar Lumir Abdixhikun me rastin e zgjedhjes si kryetar i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Dëshiroj të uroj punë të mbarë për Lumir Abdixhiku, i cili është zgjedhur kryetar i ri i LDK-së. Është interes i përbashkët i çdo qytetari të Kosovës që partitë politike të hedhin hapa përpara sa i përket demokratizimit të brendshëm, bashkëpunimit midis opozitës dhe qeverisë për punë të dobishme, por edhe opozitarizmi i fortë për çështje të argumentuara drejt e saktë”, shkruan Kurti në Facebook.
“Të gjithë mund të japim shumë për Kosovën, e askush askujt nuk mundet më t’ia mohojë këtë të drejtë”, është shprehur Kurti.
Kryetari i ri i LDK-së është zgjedhur pasi Isa Mustafa dha dorëheqje nga ky post pas 11 vjetësh të udhëheqjes me partinë, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit shënoi rezultatin e saj më të dobët ndonjëherë.