Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar edhe nga i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe këshilltarët për politikë të jashtme të Francës, Gjermanisë dhe Italisë do ta vizitojnë të premten Kosovën.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se në Prishtinë do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërkaq në Beograd do ta takojnë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Në Prishtinë, ai do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas në Beograd ai do të takojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kjo për të diskutuar hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Për këtë vizitë, emisari ynë do të shoqërohet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë, dhe të kryeministrit të Italisë. Po ashtu, në këtë takim do të jetë edhe i dërguar i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, ka thënë Stano në një konferencë për media./FolDrejt/