FIFA gjithashtu pezulloi automatikisht kontratat e futbollistëve dhe trajnerëve të huaj në Ukrainë deri në fund të vitit, për të siguruar mbrojtje financiare për palët.
Federata Botërore e Futbollit (FIFA) njoftoi dje se do t’i lejojë lojtarët dhe trajnerët e huaj në klubet ruse të “pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre” deri në fund të këtij sezoni, për të “lehtësuar” largimin e tyre nga Rusia, shkruan AA.
“Për të lehtësuar largimin e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj nga Rusia, në rast se klubet e lidhura me Federatën Ruse të Futbollit (FUR) nuk arrijnë marrëveshje të ndërsjellë me lojtarët dhe trajnerët e tyre të huaj para ose deri më 10 mars 2022 dhe nëse nuk është rënë dakord ndryshe me shkrim, lojtarët dhe trajnerët e huaj do të kenë të drejtë të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre me klubet përkatëse të FUR-it deri në fund të sezonit (30 qershor 2022)”, thuhet në deklaratën e FIFA-s, transmeton Fol Drejt.
FIFA gjithashtu pezulloi automatikisht kontratat e futbollistëve dhe trajnerëve të huaj në Ukrainë deri në fund të vitit, për të siguruar mbrojtje financiare për palët.
Në një deklaratë, FIFA dënoi “përdorimin e vazhdueshëm të forcës ruse në Ukrainë” dhe bëri thirrje për paqe të menjëhershme./FolDrejt/