Shuma prej 500 milionë euro e Bashkimit Evropian e dhënë për vendet që ndihmojnë refugjatët ukrainas është e pamjaftueshme, tha një zëvendësministër i Jashtëm polak.
“Kjo shumë sigurisht që nuk do të jetë e mjaftueshme, pasi do të ndahet mes shteteve”, tha Pawel Jablonski në një intervistë për Polsat News.
Rreth 1.2 milionë njerëz, 90% e tyre qytetarë ukrainas, kanë ikur nga Ukraina në Poloni që nga fillimi i luftës.
Jablonski tha se sipas përllogaritjeve fillestare kostoja e pritjes së 1 milion refugjatëve do t’i kushtojë Polonisë deri në 2 miliardë euro nëse merren parasysh kostot e arsimit, kujdesit shëndetësor dhe sigurimeve shoqërore.
“Ky është një vlerësim për 1 milion njerëz dhe ne do të kemi shumë më tepër”, shtoi ai.
Vetëm të hënën, 141.500 njerëz kaluan kufirin, shkroi agjencia e Gardës Kufitare polake, në Tëitter.
Rreth 90% e njerëzve që largohen janë shtetas ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë. Një akademik vlerëson se rreth 40% e refugjatëve janë larguar tashmë nga Polonia për në vende të tjera.
Polonia ishte shtëpia e shumë ukrainasve, vlerësimet variojnë nga një deri në dy milion njerëz, dhe shumë refugjatë kanë shkuar aty për të qëndruar me familjen ose miqtë e tyre.
Mijëra polakë po presin refugjatë edhe në shtëpitë e tyre, dhe sot parlamenti i Polonisë do të debatojë legjislacionin e urgjencës për të kompensuar ata që bëjnë shpenzime shtesë.
Legjislacioni do të lejojë gjithashtu ukrainasit të jetojnë dhe punojnë në Poloni për 18 muaj dhe të marrin kujdes shëndetësor dhe shkollim falas./FolDrejt/