Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se ndihma ushtarake për Ukrainën nga SHBA dhe NATO i bën ato palë në konflikt.
“Washingtoni dhe aleatët e tij të NATO-s po shtojnë furnizimet me armë vdekjeprurëse për neonazistët ukrainas, duke shkëmbyer të dhëna të inteligjencës me ta, duke rekrutuar për t’i dërguar në Ukrainë. E gjithë kjo, në një mënyrë apo tjetër, i bën ata pjesëmarrës në konflikt”, tha Lavrov në një fjalim në Këshillin e 24-të Botëror Popullor Rus në Moskë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lavrov theksoi se vendet perëndimore përdorin Ukrainën si një mjet për kontrollin e Rusisë, si pjesë e planit për të ndarë rusët dhe ukrainasit dhe për të shkëputur lidhjet shpirtërore midis dy vendeve.
“Inxhinierët gjeopolitik perëndimor po punojnë pa u lodhur për të shkatërruar lidhjet shpirtërore të Patriarkanës së Moskës dhe kishave ortodokse vëllazërore lokale (ukrainase). Për të diskredituar dhe denigruar Kishën Ortodokse Ruse, është nisur një fushatë e paskrupullt në media. Ushtrohet ngacmim i hapur ndaj klerit të Kishës Ortodokse Ruse. Ka kërkesa që lidershipi i besimeve të ndryshme të dënojë veprimet e Rusisë”, tha Lavrov.
Më tej, shefi i diplomacisë ruse theksoi se bota ruse dhe komunitetet e saj jashtë vendit janë nën presion dhe shtoi se sanksionet e vendosura nga disa vende perëndimore kundër Patriarkut Kirill të Moskës dhe të gjithë Rusisë janë pjesë e presionit.
Sipas tij, përpjekjet për të izoluar Rusinë do të përfundojnë keq, sepse bota moderne është multi-polare, jo e orientuar nga perëndimi.
Ai tha se Rusia qëndron për vlerat tradicionale, të përbashkëta për të gjitha fetë dhe kulturat e botës dhe se vendi do të vazhdojë të punojë në ndërtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në ligjin ndërkombëtar, ndershmërinë, mirësinë dhe drejtësinë.
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin e frytshëm me Kishën Ortodokse Ruse dhe konfesionet e tjera tradicionale të vendit tonë, për të promovuar dialogut ndërqytetërues, ndërfetar dhe ndërkulturor në interes të formimit të mëtejshëm të një arkitekture policentrike më të drejtë dhe më demokratike të rendit botëror”, tha Lavrov./FolDrejt/