“Letër e hapur
Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Znj. Meliza Haradinaj-Stublla.
Fillimisht, ju njoftoj se kjo shkresë është personale, por, që reflekton vullnetin e po thuajse çdo qytetari të rëndomtë të Republikës së Kosovës, që e ka ndier veten të fyer me veprimin e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Paris. Veprim i pa precedent deri më tani në jetën publike, politike, publicistike e diplomatike në vendin tonë.
Veprimi (retweett) i Ambasadorit në fjalë, ka cenuar në mënyrë të vrazhdë identitetin fetar të shumicës myslimane të shqiptarëve në përgjithësi e të shtetasve të Republikës së Kosovës në veçanti. Me veprimin e tij, ka cenuar rënd misionin e rëndësishëm që e ka diplomacia e vendit tonë. Ndër funksionet kryesore të misionit diplomatik sipas nenit 10 të Ligjit Nr. 03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës është mbrojtja në shtetin pranues e interesave të Republikës së Kosovës dhe të shtetasve ose personave juridikë të saj, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi të shtetit pranues si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të shtetasve të Republikës së Kosovës brenda fushës së kompetencës së vet.
Në këtë rast, ai ka cenuar interesat kombëtare të shtetit dhe shtetasve të vet duke qenë se identiteti fetar dhe respektimi i besimeve është pjesë qenësore e identitetit dhe kulturës sonë kombëtare. Po ashtu, në mënyrë të rëndë ka shkelur të drejtën themelore të besimit cenuar simbolin e besimit të shtetasve të vendit të cilit i përfaqëson. Prandaj, ai nuk mund dhe nuk duhet më tutje të mbetet përfaqësues diplomatik i shtetit dhe shtetasve vlerat e të cilit i ka nëpërkëmbur.
Në të njëjtën kohë, në rrethana normale institucionale veprimi i tillë sipas nenit 141, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, konsiderohet vepër penale e kualifikuar si nxitje dhe përçarje e mos durimit, duke përcaktuar se; kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike e të tjera, apo bazuar në orientimin seksual, identitetin gjinor dhe karakteristikat e tjera personale, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik dënohet me gjobë ose me burgim, si dhe në të njëjtën kohë përqeshja e simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim.
Veprimi sikur se ky i cili e ka prekur në mënyrë direkte besimin dhe simbolin kryesor të besimit të besimtarëve mysliman ka nxitur përçarje dhe debat i cili ka e rënduar dhe e ka përçarë edhe më shumë kohezionin social tashmë të rënduar nga shumë tema politike, sociale e ekonomike.
Shqiptarët historikisht, e kanë ruajtur besimin, dialogun e tolerancën ndër fetare. Në të njëjtën kohë, e kanë kultivuar dashurin ndaj Zotit e ndaj Kombit në mënyrë të pandashme.
Për të ruajtur këtë vlerë të kulturës sonë historike, distancimi i juaj nga ky qëndrim dhe shkarkimi do të ishte kontribut direkt në vlerat tona nacionale e fetare.
Në të kundërtën, shqiptarët të cilët e ndjejnë veten të fyer nga veprimi në fjalë dhe nga indiferenca juaj, do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo rrugë demokratike e reaguese për të realizuar të drejtën e tyre për përfaqësim dinjitoz, duke kërkuar shkarkimin e tij.”-teksti është marrë nga shkrimi i Abdullah Klinaku në rrjetin social Facebook.