Bedri Islami në një intervistë për Fol Drejt ka shpalosur shumë gjëra nga lufta, kurse ndër to është edhe thirrja e fundit e Ilaz Kodrës e letra e fundit e Adem Jasharit.
“Letrën e Adem Jasharit dhe Grupit të Drenicës unë e kam botuar. Edhe në librin tim të fundit, “ Triada e Kosovës” e kam bërë publike, së bashku me letrën e dërguar nga Ilir Kunushevci. Letra e Adem Jasharit bën fjalë për një përpjekje shumë serioze, disaditëshe, mes UÇK-së dhe forcave serbe. Gjithashtu aty bëhet kërkesë për furnizim më të fuqishëm me logjistikë dhe cakton si përfaqësues të tij në perëndim, njërin ndër miqtë e besuar, Ramiz Lladrovcin, i njohur me pseudonimin “Veshi”. Biseda e fundit me Ilaz Kodrën është zhvilluar dy apo tri ditë para vrasjes së tij, nuk është inçizuar e transkriptuar nga unë, por nga struktura të tjera. Është bisedë mes miqve, tregohet për sulmet e forcave serbe, rezistencën, largimin e popullsisë, ka, poashtu, kërkesa për furnizim me logjistikë, pasi , si më thotë ai “ jemi në kokrrat e fundit të kallamoqit”, pra po mbarohen edhe fishekët, dhe një thirrje që, si do të ndodhë puna, mos të dorëzohemi, por të vazhdojmë deri në fund. Ishte si parandjenjë e tij pr atë çfarë do të ndodhte më vonë”, ka thënë ndër të tjera Bedri Islami për Fol Drejt.