Mesila Doda, kryetare e grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim, gjatë fjalimit të saj në mbledhjen e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka përmendur mungesën e krerëve të UÇK-së në sallë, duke vënë në theks luftën e pastër të UÇK-së, transmeton Fol Drejt.
“Kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, janë komandantët e luftës; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerë. Duhet të përsërisim se lufta e UÇK-së është faqe lavdie në historinë e kombit dhe njerëzit që i dalin zot atdheut të tyre janë heronj dhe jo kriminelë lufte “, është shprehur Doda në fjalimin e saj.
“Ne sot bashkërisht mbrojmë luftën dhe heronjtë tanë nga çdo sulm. Nuk mund të humbim në paqe atë që fituam në luftë. Kosova dhe beteja e saj janë fitore të jashtëzakonshme në mijëvjeçarin e ri”, ka shtuar ajo.
Gjatë fjalimit, ajo njëkohësisht ka përmendur edhe ëndrrën e bashkimit kombëtar mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe punën që duhet bërë për jetësimin e kësaj ëndrre.
“A është gabim të ëndërrosh bashkimi kombëtar? Në fakt është gabim të ëndërrosh dhe të mos punosh për të”, ka thënë Doda./FolDrejt/