Presidenti i Maltës, i cili sot arriti në Kosovë, në një konferencë për media bashkë me homologen kosovare, Vjosa Osmani, ka përsëritur qëndrimin përkrahës që ka Malta për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Tani do ta shfrytëzoj këtë mundësi për të ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të Maltës për Kosovën, për anëtarësimin në BE, e mirëpres raportin e Komisionit Evropian, dhe e inkurajoj Kosovën që të vazhdojë rrugëtimin e saj reformues në perspektiven evropiane. Malta e mbështet propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave duke qenë se ka përmbushur të gjitha kriteret para disa vitesh… Katër vjet ka vonesë për liberalizimin e vizave. Kosova ka bërë çdo gjë që është kërkuar për liberalizimin e vizave” – ka thënë presidenti Vella.
I njëjti, njëherit ka theksuar edhe mbështetjen për marrëveshjen e 27 gushtit, të arritur midis Kosovës dhe Serbisë.
“Malta e mirëpret marrëveshjen e 27 gushtit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mbështet plotësisht procesin e pajtimit në mes të Beogradit dhe Prishtinës”.
“Nga perspektiva e gjerë rajonale ka qenë qëndrim afatgjatë i Maltës që Ballkani Perëndimor nuk mund të ndahet nga Evropa. Perspektiva e zgjerimit është një prej veglave më të fuqishme të BE-së, dhe vepron si stimulim duke siguruar paqe siguri dhe stabilitet” – ka shtuar ai./FolDrejt/