Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, njoftoi se ka marrë vendim për shpalljen e gjendjes së re të jashtëzakonshme në territorin e të gjithë vendit e cila do të zgjatë tetë ditë, duke filluar nga sot (15.06), transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sonte kam marrë një vendim të ri për të përcaktuar ekzistencën e një gjendje të jashtëzakonshme në territorin e të gjithë vendit. Vendimi është marrë në bazë të nenit 125 dhe nenit 126 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pas propozimit të paraqitur nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe zgjat tetë ditë, duke filluar nga 15 qershori i vitit 2020”, shkroi presidenti Pendarovski në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale.
Në njoftim, Pendarovski thotë se partitë politike kanë arritur marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik 2020.
“Vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ka për qëllim të bëjë të mundur përgatitjen pa pengesa të zgjedhjeve dhe veçanërisht zbatimin e masave për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë procesit zgjedhor, në mes të një pandemie të koronavirusit të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Gjendja e jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej tetë ditësh do të lejojë që procesi zgjedhor të vazhdojë i pandërprerë, të miratohet vendim për zgjedhjet nga Kryetari i Kuvendit dhe një orar i ndryshuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për të mbajtur zgjedhjet më 15 korrik”, tha Pendarovski.
Siç thuhet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit, pas marrëveshjes së arritur politike, është e nevojshme që institucionet të ndërmarrin të gjitha veprimet në kohë sipas kompetencës së tyre, në mënyrë që të bëhet përgatitje cilësore dhe të plotë, si dhe realizim të procesit zgjedhor.
“Pres që ditët e gjendjes së jashtëzakonshme të përdoren vetëm për t’u miratuar vendimet dhe protokollet e nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, me theks në masat e mbrojtjes së shëndetit publik”, tha Pendarovski.
Më herët gjatë ditës, liderët e dy partive më të mëdha politike në vend, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski, arritën marrëveshje që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 15 korrik.
Kujtojmë se shkaku i pandemisë së koronavirusit, në Maqedoninë e Veriut janë prolonguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara fillimisht për më 12 prill.
Presidenti Pendarovski për herë të parë ka shpallur gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut më 18 mars, duke shpallur vazhdimisht gjendje të re të jashtëzakonshme deri më 13 qershor.