Sektori i gastronomisë në Maqedoninë e Veriut kërkon nga qeveria ndihmë financiare për përballje me pasojat, pas vendimit të ekzekutivit për të mbyllur objektet e gastronomisë si pjesë e masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Sipas vlerësimeve të Shoqatës së gastronomisë, rreth 30 mijë persona që punojnë në këtë sektor do të mbeten pa të ardhurat mujore.
Mihail Misev, kryetar i Shoqatës së Gastronomëve në Ohër, tha se bizneset duhet të respektojnë masat pasi nuk kanë opsion tjetër, por ndërkohë kërkon ndihmë nga shteti pasi në të kundërtën, ai thotë se gastronomët do të detyrohen të vazhdojnë me pushime nga puna të punëtorëve apo edhe mbylljen e lokaleve.
Nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut u tha se masat do të godasin bizneset, por se miratimi i tyre është i domosdoshëm për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike, por edhe për shkak të festave fetare pasi të dhënat e kësaj ministrie flasin se pikërisht gjatë këtyre festave, vitin e kaluar kishte më shumë të infektuar me koronavirusin e ri.