Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe bashkëpunimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës me UNKT, ishin në qendër të takimit të tretë të Komitetit Drejtues për Kornizën e Bashkëpunimit të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë (UNSDCF), për periudhën 2021-2025, transmeton Fol Drejt.
“Ne vlerësojmë shumë rolin që ka luajtur ekipi i Kombeve të Bashkuara (UNKT) në Kosovë në adresimin e pabarazive sociale dhe ekonomike, të cilat mbeten të larta në Kosovë, si dhe punën e saj në avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë, ndërtimin e një shoqërie multietnike, përmirësimin e shumëgjuhësisë dhe përmirësimin e harmonisë ndëretnike”, tha Kryeministri Kurti në fjalën e hapjes.
Ai theksoi ndryshimet e ndodhura që nga mbledhja e fundit e përbashkët, siç është miratimi i Planit Kombëtar të Zhvillimit 2030. Zbatimi i vizionit të përcaktuar në PKZh duhet të kontribuojë në plotësimin e kushteve për anëtarësimin e vendit tonë në institucionet euroatlantike dhe demonstron përkushtimin tonë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e kapitalit njerëzor, veçanërisht duke reformuar sistemin arsimor, në mënyrë që të sigurojmë zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës, duke i ofruar perspektivë të rinjve tanë”, shtoi Kryeministri Kurti, duke përmendur po ashtu dhe transformimin digjital të Kosovës dhe skemat për punësimin e të rinjve.
Nga ana tjetër Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence theksoi se: “Prania jonë në Kosovë i shërben vetëm një qëllimi. Për të mbështetur njerëzit, duke punuar për zhvillimin, të drejtat e njeriut dhe paqen. Ne vlerësojmë udhëzimet e fundit të politikave të qeverisë për të optimizuar mbështetjen tonë për popullin e Kosovës.” Ajo vlerësoi Planin Kombëtar të Zhvillimit, i cili përputhet mirë me qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke vënë theksin te gjithëpërfshirja si faktor kyç për arritjen e objektivave.