Më shumë se 1000 klerikë nga Kisha Katolike e Spanjës janë akuzuar për pedofili, sipas një raporti të publikuar nga e përditshmja spanjolle El Pais të hënën, transmeton AA, përcjell Fol Drejt.
Gazeta ka mbledhur dëshmi nga viktimat që nga viti 2018. Ajo ndau të dhënat më të fundit me peshkopët spanjollë dhe ombudspersonin e vendit, të cilët të dy po kryejnë hetime të njëkohshme mbi këtë çështje.
Të dhënat e fundit të El Pais e çojnë numrin e viktimave në të paktën 2100. Para fillimit të hetimeve, vetëm 34 raste në Spanjë ishin të njohura publikisht.
Nga rreth 110,000 priftërinj dhe personel tjetër fetar meshkuj në Spanjë, shifrat e El Pais sugjerojnë se të paktën 0.9% kanë abuzuar seksualisht me të mitur.
Kjo statistikë është ende larg asaj që është zbuluar në vende të tjera si ShBA apo Irlanda. Në vendet e tjera katolike që kanë shqyrtuar këtë temë, mesatarisht, rreth 4% e anëtarëve meshkuj të klerit janë përfshirë në këtë lloj abuzimi që nga mesi i shekullit të 20-të.
Kriminologia Gemma Varona e Universitetit Pais Vasco i tha El Pais se është “shumë e mundur” që numri i priftërinjve abuzues seksualë në Spanjë të katërfishohet nga shifra aktuale.
“Katër për qind është mesatarja e pritur; shfaqet nga vendi në vend. Dhe kur flasim për 4%, ky është një problem social – jo një pakicë. Një tjetër nga problemet kryesore është mënyra sesi institucioni i ka trajtuar viktimat,” tha ajo.
Deri në dy vitet e fundit, Kisha Katolike e Spanjës këmbënguli se nuk kishte pothuajse asnjë rast në vendin me shumicë katolike. El Pais tani thotë se 74 peshkopë dhe eprorë fetarë janë përfshirë sistematikisht në fshehjen e sjelljes kriminale.
“Tregimet më të reja që kemi përpiluar pasqyrojnë të njëjtat modele si më parë: mosndëshkimin, mbulimet dhe traumën që zgjat gjithë jetën. Por me kalimin e kohës, rastet që dalin janë edhe më të fshehura, më komplekse dhe më serioze”, thuhet në artikullin e El Pais.
Një rast i tillë është ai i Albert Vallory, i cili shkoi në një shkollë katolike në Lleida në vitet 1960. Ai tregoi se si ai dhe djemtë e tjerë në kor u prekën në mënyrë të papërshtatshme nga tre murgj katolikë. Ai gjithashtu shpjegoi se si u përdhunua nga një tjetër kur ishte vetëm gjashtë vjeç.
“Unë dyshoj se ka shumë njerëz si unë. Unë isha shumë i pafajshëm, budalla dhe tani, më vjen turp për këtë, sikur të ishte faji im. Sindroma e Stokholmit zgjat përgjithmonë”, tha ai për El Pais. /FolDrejt/