Mbi 300 persona janë akuzuar për pjesëmarrje në sulmin vdekjeprurës të 6 janarit, ku mbështetësit e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, sulmuan Kongresin amerikan.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, John Carlin u tha gazetarëve se gati 280 persona ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë nga Departamenti i Drejtësisë, tashmë janë arrestuar.
“Përgjegjësit do të përballen me drejtësinë”, shtoi Carlin.
Të paktën pesë persona vdiqën, përfshirë edhe një zyrtar policor, kur protestuesit e dhunshëm sulmuan Kongresin, në përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Bidenit ndaj Trumpit në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit të vitit të kaluar.