Në kuadër të ndeshjeve të zhvilluara sonte, Kosova dhe Shqipëria janë takuar me kundërshtarët e tyre dhe të dyja kanë gjetur rrugën drejt portës, shkruan Fol Drejt.
Megjithatë, nata e sotme ka qenë më me fat për Kosovën, e cila ka shënuar një fitore të thellë në ndeshjen përballë Qipros. Dardanët kanë arritur të shënojnë gjithsej 5 gola, teksa kanë pranuar vetëm një gol nga kundërshtari i tyre, Qipro.
Ndryshe prej Kosovës, edhe Shqipëria ka arritur ta gjejë rrugën drejt portës me golin e realizuar nga Lenjani, por kjo nuk ka mjaftuar për ta “rrëmbyer” tre pikëshin. Në minutën e 96-të të lojës, Islanda ka shënuar golin e barazimit, duke ia marrë fitoren nga duart Shqipërisë. Si rrjedhojë, Shqipëria mbetet në vendin e tretë në kuadër të Ligës së Kombeve./FolDrejt/