Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, vizitoi sot Kralanin.
Për këtë ai njoftoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Kralani është dëshmia e gjallë e rezistencës së popullit shqiptar, po aq sa është edhe dëshmi e krimeve të tmerrshme të shtetit gjenocidal serb.
Ky fshat përgjatë vitit 1999 nuk ishte thjesht i banorëve të këtij vendi, por i gjithë Kosovës.
Ishte pikë strategjike për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e strehë për mijëra banorë të Malishevës e të Drenicës, kjo e bënte target të vazhdueshëm për forcat policore e paramilitare serbe, të cilët më 4 prill të 1999 masakruan 86 civilë, në mesin e tyre edhe fëmijë.
Ky sulm ndaj civilëve të pafajshëm nuk shpëtoi pa luftën e rezistencën e ushtarëve të UÇK-së.
14 burra, ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë në këtë luftim për të mbetur të paharruar në altarin e lirisë, në memorien kolektive të kësaj periudhe sa të lavdishme po aq edhe të dhimbshme për popullin tonë.
Ata nuk janë harruar, sepse mungesën e tyre pafundësisht e ndjejnë familjarët.
Nuk harrohen krimet serbe ngase plagët nuk ua morën jetën vetëm të vrarëve, por dhe lan me plagë të përjetshme shumë të tjerë në mesin e të gjallëve. Shpirti i tyre do të gjejë qetësi vetëm pasi të dënohen kriminelët, e fati i të zhdukurve të zbardhet.
Krimi duhet dënuar, e vërteta duhet të dalë në dritë!”, u shpreh Mehaj në Facebook./FolDrejt/