Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, përmes një reagimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ai tha se viti 2023 do të jetë vit i ristrukturimit të ministrisë të cilën ai e udhëheq.
Ai njoftoi gjithashtu edhe për një punëtori të mbajtur ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zyres Ndërlidhëse të NATO-së dhe Institutit për Qeverisje të Sigurisë (ISG), përcjell Fol Drejt.
“Ky vit do të jetë vit i ristrukturimit të Ministrisë së Mbrojtjes, andaj në një punëtori të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zyres Ndërlidhëse të NATO-së dhe Institutit për Qeverisje të Sigurisë (ISG), diskutuam për mënyrat se si mund të rrisim efikasitetin në punë, të ngrisim nivelin e koordinimit ndërmjet akterëve institucional, dhe të eliminojmë çdo pengesë duke risistemuar personat e duhur në pozitat e duhura.
Nëse deri tani ishim duke lëvizur me hapa të shpejtë drejt avancimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tani shpejtësia, intenziteti i punëve, profesionalizmi do të jenë dyfish më të larta dhe në proporcion të drejtë me njëra-tjetrën.
Korrektësia, shpërndarja e barabartë e punëve dhe ndjenja e përgjegjësisë ndaj vendit janë parime që duhet shoqëruar çdo ditë pune për shkak të obligimit që kemi për sakrificën e paraardhësve dhe gjeneratat që do vijnë”, u shpreh në Mehaj./FolDrejt/