Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka përshëndetur miratimin e Ligjit për pagat.
Në lidhje me këtë ai reagoi në një postim në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Miratimi i Ligjit për pagat, veprim konkret me impakt të lartë në ngritjen e mirëqenies socio-ekonomike për ushtarakët tanë dhe familjet e tyre!
Sot me miratimin e Ligjit për Pagat në sektorin publik në Kuvendin e Kosovës po kurorëzohet objektivi dhe zotimi i Qeverisë për rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të ushtarakëve tanë krahas të gjithë zyrtarëve tjerë publik që marrin paga nga buxheti i Republikës së Kosovës.
Përmes këtij Ligji nuk ekziston më dallimi i jashtëzakonshëm ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët, ngase nga 20 herë sa ishte dallimi deri tash është nivelizuar në vetëm 4.78 herë.
Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikë dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.
Kjo është social-demokracia dhe kujdesi ndaj mirëqenies së qytetarëve!
Krahas rritjes së pagave, do të vazhdojmë me projektet për përmirësimin e kushteve të shërbimit, ushqimit, transportit, veshmbathjes, pajisjeve personale, hapësirave moderne për mësim, trajnim, stërvitje, akomodim , hapësirave sportive-rekreative për të gjithë ushtarakët tanë, sipas standardeve më bashkëkohore.
Shumë urime të gjithëve e na priftë e mbara drejt sukseseve të reja!”, është shprehur Mehaj./FolDrejt/