Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka përkujtuar masakrën e Belegut ku ishin masakruar 49 shqiptarë, shkruan Fol Drejt.
“Sot, 24 vjet më parë në fshatin Beleg të Deçanit, forcat e shumta ushtarake dhe paramilitare serbe vranë e masakruan 49 shqiptarë. Nuk mund të mos pyesim veten për tmerrin që kanë përjetuar banorët e Belegut atë ditë, në mesin e tyre dhe shumë fëmijë e gra, e nuk mundemi as të mos e përjetojmë edhe sot e kësaj dite si ngjarje makabre, gjenocidin për të cilin do të duhej ta rëndonte ndërgjegjja shumëkënd, shtetin serb edhe autorët që ende nuk kanë marrur dënimin meritor.”, shkroi Mehaj në Facebook.
Mehaj theksoi se, ndërsa 33 prej tyre konsiderohen të zhdukur me dhunë, duke mos pasur ende nje varr në tokën për të cilën u flijuan, masakra e Belegut ashtu si edhe çdo varr masiv në tërë Kosovën, është e vërteta jonë e pamohueshme, fakte të cilat si në dritën e diellin dëshmojnë gjenocidin serb ndaj popullatës shqiptare.
“Mohimi i gjenocidit është krimi i dytë që mund të bëhet ndaj këtyre familjeve, është vrasje e dyfishtë që është edhe më e rëndë, kështu do të thotë të qëllosh edhe tek të gjallët e mbijetuar. Të rënët më nuk janë fizikisht në mesin tonë, por kujtimi për ta shoqëron çdo ditë të familjarëve të tyre, trazon shpirtin e një nëne që mbeti pa djalë, gruan pa bashkëshort e vajzën pa baba.”, tha tutje ai.
Ministri shtoi se të kujtosh krimin që ka ndodhur nuk është e mjaftueshme, por është rrugë e domosdoshme deri në vënien e drejtësisë.
“Liria jonë mban emrin e secilit nga martirët e Belegut, Irzniqit e tërë Kosovës. Beteja jonë do të vazhdoj deri në zbardhjen e fatit të secilit prej të zhdukurve, të vrarëve e të masakruarve, deri në gjetjen e trupave të tyre e dënimin e autorëve të krimit.”, shkroi në fund ministri Mehaj. /FolDrejt/