Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se PDK-ja është bërë anëtare me të drejta të plota në ALDE.
Për këtë Krasniqi njoftoi përmes një njoftimi në Facebook, transmeton Fol Drejt.
“PDK bëhet anëtare me të drejta të plota në ALDE!
Pas një pune dinamike gjatë gjithë vitit, me shumë takime dhe lobime, sot, në mbledhjen e dytë vjetore të Këshillit të Partisë Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), të mbajtur në Bratisllavë të Sllovakisë, Partia Demokratike e Kosovës është pranuar si anëtare me të drejta të plota e kësaj partie pan-evropiane.
ALDE është grupacioni më i madh politik i partive të liberale të Evropës. Parimet themelore liberale të lirisë, demokracisë, shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut, tolerancës dhe solidaritetit – janë vlerat që promovojnë partitë politike që qëndrojnë nën ombrellën e ALDE-s, e të cilat i kemi si mision për t’i zbatuar edhe në Kosovë.
Pranimi ynë në ALDE vjen si finalizim i një procesi tejet të rëndësishëm për mua dhe PDK-në. Ky është një hap i madh drejt përbrendësimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që PDK ka bërë gjatë këtij viti.
Një PDK e hapur dhe gjithëpërfshirëse, me vizion 50/50 për përfaqësim gjinor në të gjitha strukturat dhe nivelet e vendimmarrjes, me rini të fuqizuar dhe aktive, si dhe e integruar në rrjetin e partive liberale evropiane, është plotësisht në funksion të forcimit dhe demokratizimit të vendit dhe shoqërisë tonë!
Urime të gjithë anëtarëve e aktivistëve dhe na priftë e mbara bashkë!”, u shpreh Krasniqi./FolDrejt/