Miliona emaile ushtarake amerikane i janë dërguar gabimisht Malit, një aleat rus, për shkak të një gabimi të vogël shtypi, shkruan BBC, transmeton Fol Drejt.
Emailet e destinuara për domenin “.mil” të ushtrisë amerikane, prej vitesh janë dërguar në vendin e Afrikës Perëndimore, i cili përfundon me prapashtesën “.ml”.
Disa nga emailet thuhet se përmbanin informacione të ndjeshme si fjalëkalime, të dhëna mjekësore dhe itineraret e oficerëve të lartë.
Pentagoni tha se kishte marrë hapa për të adresuar çështjen.
Sipas Financial Times, e cila raportoi për herë të parë historinë, sipërmarrësi holandez i internetit Johannes Zuurbier e identifikoi problemin më shumë se 10 vjet më parë.
Që nga viti 2013, ai ka pasur një kontratë për të menaxhuar domenin e vendit të Malit dhe, muajt e fundit, thuhet se ka mbledhur dhjetëra mijëra emaile të keqdrejtuara.
Asnjë nuk u shënua si i klasifikuar, por, sipas gazetës, ato përfshinin të dhëna mjekësore, harta të objekteve ushtarake amerikane, të dhënat financiare dhe dokumentet e planifikimit për udhëtimet zyrtare si dhe disa mesazhe diplomatike.