Kryetari i Komisionit për Kosovë në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka deklaruar mëngjesin e sotëm se armatimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), ka hyrë në vitin e katërt të tranzicionit në të ashtuquajturen Ushtri e Kosovës, diçka që planifikohet dhe bëhet sistematikisht dhe në të cilën rolin më të madh e kanë SHBA-të, Britania e Madhe, Turqia dhe Gjermania, transmeton Fol Drejt.
Duke shpjeguar rolin e Britanisë së Madhe në këtë proces dhe politikën e saj në Ballkan së fundmi, ai tha se pas daljes nga Bashkimi Evropian, ky vend po përpiqet të pozicionohet si një faktor domethënës jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.
“Ndër të tjera, këtë duan ta bëjnë në Ballkan, para së gjithash duke i shkaktuar sa më shumë dëm Republikës Srpska dhe Serbisë kur është fjala për Kosovën dhe Metohinë. Roli i tyre negativ në sulmin ndaj interesave tona kombëtare është evident dhe do të vazhdojnë publikisht”, u shpreh Drecun ndërsa ishte i ftuar në një emision në TV Pink, shkruan Tanjug./FolDrejt/