Ministri i Jashtëm i Ukrainës të enjten tha se presidenca e ardhshme njëmujore e Rusisë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një “shaka e keqe”, rporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Presidenca ruse e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 prill është një shaka e keqe. Rusia ka uzurpuar selinë e KS; po bën një luftë koloniale; udhëheqësi i saj është një kriminel lufte i kërkuar nga ICC për rrëmbimin e fëmijëve. Bota nuk mund të jetë një vend i sigurt me Rusinë në KS të OKB-së”, shkroi Dmytro Kuleba në Twitter.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka 15 anëtarë dhe kryesimin e tij e mban secili prej anëtarëve me radhë për një muaj, sipas rendit alfabetik anglez. Rusia do të marrë presidencën të shtunën.
Sipas Kartës së OKB-së, të gjithë anëtarët janë të detyruar të respektojnë vendimet e Këshillit të Sigurimit, përgjegjësia kryesore e të cilit është ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Dhjetorin e kaluar, Ministria e Jashtme e Ukrainës pretendoi se statusi i anëtarësimit të Rusisë në OKB dhe selia e saj e përhershme në Këshillin e Sigurimit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik mbetën “të pazgjidhura” nga “pikpamja e së drejtës ndërkombëtare”.
Ai argumentoi se Rusia nuk arriti të përmbushte kriteret kryesore për anëtarësimin në OKB, duke iu referuar paragrafit të parë të nenit 4 të Kartës së OKB-së, i cili thotë se “anëtarësimi në OKB është i hapur për të gjitha shtetet paqedashëse”, duke aluduar në nisjen e Moskës për “operacionin e saj special ushtarak” në Ukrainë. /FolDrejt/