Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka takuar ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, transmeton Fol Drejt.
Siç bën me dije Mehaj, në takimin e sotëm kanë diskutuar për situatën e sigurisë në veri të vendit tonë si dhe nevojën për normalizimin e gjendjes.
“Ambasadori Abbott shprehu shqetësimin e tij për gjendjen në veri të vendit dhe nevojën për gjetjen e një rrugëzgjidhje për të kthyer normalitetin, për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit por dhe të partneritetit në mes Kosovës dhe vendeve të NATO-s.”, ka bërë të ditur Mehaj.
Ministri Mehaj e njoftoi ambasadorin Abbott se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK është duke zhvilluar aktivitetet në përputhje me planet e saj të zhvillimit dhe nuk është e përfshirë në aktivitete që janë jashtë fushës së saj të veprimit.
“Gjithashtu, e njoftova për zhvillimet në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës si dhe i rikonfirmova aspiratat e qytetarëve dhe institucioneve të vendit tonë për integrim në Programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO.
Diskutuam për bashkëpunimin me Britanine e Madhe dhe vendet partnere të NATO si dhe mbështetjen e vazhdueshme që Britania dhe vendet partnere po japin për FSK-në, zhvillimin e saj dhe ndërtimin e kapaciteteve në përputhje me standardet dhe doktrinën e NATO-së.”, ka bërë të ditur më tej Mehaj./FolDrejt/