Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka pritur në takim udhëheqjen e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të udhëhequr nga U.d. kryetari i OVLUÇK-së, Faton Klinaku.
Mehaj është shprehur se veteranët, invalidët dhe familjarët e dëshmorëve të luftës çlirimtare të UÇK-së janë referenca e shenjtë e punës dhe shërbimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, transmeton Fol Drejt.
Gjatë këtij takimi, Mehaj ka thënë se e ka njoftuar delegacionin me objektivat për ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të shenja të luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Përfaqësuesit e organizatave të UÇK-së, i njoftova edhe me procesin e realizimit të projektit për mbjelljen e fidaneve në hapësirat e kazermës “Adem Jashari”, ku çdo fidan do të simbolizojë një dëshmor të kombit – luftëtar të UÇK-së.
Gjithashtu u dakorduam që bashkëpunimi ynë ndërinstitucional të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte e iniciativa në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave tona historike si bazamente frymëzim për të tashmen dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Mehaj.
“Proceset gjyqësore dhe vendimet e padrejta ndaj luftëtarëve të lirisë nuk na zbrapsin në synimet tona për të ecur përpara drejt realizimit të shtetit të fortë dhe prosperues, ishte qëndrimi i përbashkët gjatë takimit të sotëm”, është shprehur tutje./FolDrejt/