Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, ishte sot në Qendrën Klinike Universitare për të takuar fëmijët e shtruar në Klinikën e Pediatrisë, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Siç njofton kjo Ministri, Vitia u shoqërua nga zëvendësministrja, Dr. Dafina Gexha-Bunjaku, kryesuesja e Bordit, Aida Rexhepi dhe u.d drejtoresha e përgjithshme e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu – Raci, transmeton Fol Drejt.
Ministri Vitia theksoi para fëmijëve të shtruar në repartin e Hemato – Onkologjisë dhe Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, angazhimin e tij maksimal dhe gjithë institucioneve shëndetësore që të ketë furnizime me barna dhe kushte sa më të mira për trajtimin e tyre.
Rritja e buxhetit për shëndetësinë do të reflektojë gati në trefishim të buxhetit për nevojat e fëmijëve që marrin trajtime mjekësore në këto reparte, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë./FolDrejt/