Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka uruar infermierët e Kosovës për Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë, shkruan Fol Drejt.
“Ministri i Shëndetësisë Dr. Arben Vitia u ka uruar infermierëve të Kosovës Ditën ndërkombëtare të Infermierisë me vlerësimet më të larta për kontributin e jashtëzakonshëm që kjo kategori e profesionistëve shëndetësor japin çdo ditë në shërbim pacientëve dhe qytetarëve të vendit.”, shkruan në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Në këtë ditë të shënuar për Infermierinë, dëshiroj të ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme që keni bërë ndër vite, në veçanti gjatë pandemisë COVID-19, me qëllim të ruajtjes dhe përmirësimit të shëndetit për të gjithë. Infermieria është baza e sistemeve të qëndrueshme shëndetësore, arritja e të cilit është objektivi ynë. Të jesh sot në shërbim të një detyre që përveç tjerash bart në vete edhe vlerat e humanizmit, nuk është vetëm obligim e përgjegjësi, por edhe krenari dhe kontribut i drejtpërdrejt për të arritur shëndetësinë që e synojmë dhe e duam. Ne do ta vlerësojmë çdo herë këtë”, thuhet në urimin e Ministrit Vitia për Ditën e Infermierisë.
Në urimin e tij, ministri Vitia ka theksuar se është detyra e institucioneve që “të sigurojnë që infermierët janë të sigurt në vetvete, të krijojnë një mjedis të përshtatshëm pune, të vlerësojnë punën dhe të arriturat e tyre, të jenë mirë të informuar dhe ta kuptojnë rolin e tyre shumë të rëndësishëm në zhvillimin e sistemit shëndetësor për të përmbushur sfidat e ardhshme shëndetësore dhe realizuar misionin e tyre”. /FolDrejt/