Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj lajmeve se një anëtar i FSK-së ka mbetur i vdekur në konfliktin e mbrëmshëm në Prishtinë, transmeton Fol Drejt.
Ndërkaq, kjo ministri ka thënë se do të verifikojnë informacionin nëse në çfarëdo forme në këtë konflikt ka qenë i përfshirë dhe ndonjë pjesëtar i FSK-së.
“Lajmi që është duke qarkulluar në media se në konfliktin e mbrëmshëm me armë në lokalin në qendër të kryeqytetit Bon Vivant, mbeti i vrarë një pjesëtar i FSK-së është i pavërtetë.
Ndërsa ju njoftojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet kompetente të sigurisë, Policinë e Kosovës, për të verifikuar informacionin nëse në çfarëdo forme në këtë konflikt ka qenë i përfshirë dhe ndonjë pjesëtar i FSK-së.
Me të vërtetuar këtë, rasti do të hetohet bazuar në ligjet dhe rregulloret në fuqi të FSK-së.”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie./FolDrejt/