Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, tha se janë duke u bërë përgatitjet që deri në fund të vitit të dorëzohet aplikimi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
Gërvalla tha se Kosova i plotëson të gjitha parakushtet për një kandidaturë të tillë, por se janë duke pritur momentin e përshtatshëm për ta dorëzuar aplikimin.
“Sa i përket aplikimit, është qartë që të gjitha shtetet e rajonit duke përfshirë edhe Bosnjë-Hercegovinën, kanë aplikuar ose e kane marrë statusin e kandidatit. Ne mendojmë që Kosova i plotëson kushtet. Çështja është kur është momenti e kur nuk është. Ne mendojmë që procesi nuk mund të ecë përpara pa e bërë hapin e parë. Çdo aplikim duhet të jetë i shoqëruar me shumë punë, me shumë përpjekje. Vetëm dorëzimi i aplikimit, nuk do të jetë i mjaftueshëm” – tha Gërvalla.
Në konferencën e mbajtur për media ajo foli edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kryediplomatja theksoi se pret që pas pushimeve verore, të kalohet procedura dhe çështja të kalojë në asamblenë e KiE-së.
“Ne kemi filluar procedurën në maj të këtij viti. Unë mendoj që jam në një rrugë shumë të mirë. Presim që rasti i Kosovës të mos zgjasë sa ka zgjatur për vendet e tjera të rajonit. Momentalisht presim që pas pushimeve verore që të kalohet procedura dhe të kalojë në asamble”, tha kryediplomatja.