Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, u prit në takim nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan, bën të ditur Ministria që udhëheq Gërvalla, transmeton Fol Drejt.
Gjatë këtij takimi, u diskutua fillimisht rreth zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës, progresit por edhe sfidave aktuale me të cilat po ballafaqohen qytetarët e Republikës e më pas duke vazhduar bisedën gjerësisht rreth marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mundësive se si të forcohen ato më tutje.
U diskutuan aspekte të ndryshme për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, duke filluar nga ato më evidentet si investimet direkte dhe ekonomia e deri tek mundësitë më praktike që prekin përditshmërinë e qytetarëve në sferën energjisë, edukimit, bujqësisë e sigurisë në ushqim.
Tutje, thuhet se Ministrja Gërvalla theksoi se përkundër sfidave politike dhe shoqërore, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qeveria e tyre janë gjithmonë e më të vendosur për të shënuar vazhdimisht progres në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, të cilat edhe në raportimet ndërkombëtare vjetore po vlerësohen shumë.
Në fund, duke e ftuar të vizitojë Kosovën, ministrja Gërvalla e falenderoi Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan përzemërsisht për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Siç njofton Ministria e Punëve të Jashtme, ministrja Gërvalla gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojë me takime me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe bizneseve të rëndësishme në këtë vend./FolDrejt/