Ministria e Punëve të Brendshme në mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara
për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, ka lansuar fushatën “Festo me zemër e jo me armë”.
Kjo fushatë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes kolektive dhe ndërgjegjësimin lidhur me
pasojat nga keqpërdorimi i armëve të zjarrit dhe rreziqet që sjellin ato.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Blerim Gashani dhe njëherësh edhe
Koordinator Nacional për Armët e Vogla dhe të Lehta tha se përdorimi i armëve pa leje
vazhdon të jetë shqetësim për shoqërinë kosovare dhe institucionet e sigurisë.
“Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët që qarkullojnë në Kosovë, janë shkaktarët
kryesorë për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimeve që kanë ndodhur,
qofshin ato të dhunës në familje, grabitjeve dhe krimeve të tjera”-tha ai.
Sipas Koordinatorit Nacional për Armët e Vogla dhe të Lehta, z. Gashani misioni dhe
angazhimi ditor i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj vartëse është
që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët të avancojmë nivelin e sigurisë në
Republikën e Kosovës dhe njëkohësisht të përmirësojmë cilësinë e jetës për qytetarët
tanë.
Ai tha se Policia e Kosovës ka avancuar suksesshëm në aspektin e konfiskimeve të
armëve ilegale dhe municionit dhe vetëm gjatë vitit 2021 janë konfiskuar 1260 armë dhe
rreth 42 mijë rrathë municioni i kalibrave të ndryshëm, në krahasim me vitin 2020 ku janë
konfiskuar gjithsej 1135 armë.
Ndërsa në anën tjetër zëvendës përfaqësuesi i UNDP-së në Kosovë, z. Niels Knudsen
tha se UNDP synon të paralajmërojë për pasojat e përdorimit të paautorizuar të armëve të
vogla dhe të lehta, veçanërisht gjatë festave, si dhe për të reduktuar numrin e
incidenteve të lidhura me të shtënat.
Mesazhi i dërguar qytetarëve është se edhe një pëlumb qorr duhet të përfundojë diku
dhe ekziston rreziku të rrezikohet jeta e dikujt.
Fushata e cila u lansua sot në Prishtinë, në të njëjtën kohë është lansuar edhe në Shkup./FolDrejt/