Stilisti dhe dekoratori britanik Paul Smith ndryshoi ambientin e brendshëm të muzeut të Parisit kushtuar Pablo Picasso-s, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së artistit spanjoll.
Muret e muzeut tani kanë modele dhe vija në ngjyrat e preferuara të Pikasos, dyshemeja ka qilima “ngjyrë nate” blu të errët, ndërsa disa tavane janë jeshile të errët, përcjell Fol Drejt.
Smith tha se Picasso ishte plot energji, ide dhe modernitet dhe ai nuk pushoi kurrë së kërkuari në shtigjet e tij të reja artistike.
“Më dhanë “carte blanche” për të bërë çfarë të doja, gjë që është fantastike dhe tmerruese,” tha Smith në mes të muzeut, një stilist me flokë të gjatë gri, një figurë të hollë dhe me një këmishë marinari si Picasso.
Stilisti tha se vendosi të bënte gjithçka më “dekorative”, sepse ideja fillestare ishte që vizitorët të shikonin veprat e Picasso-s në një këndvështrim të ri, veçanërisht brezi i ri.
Në vend të mureve dikur të bardhë, në një dhomë muret janë të verdha me vija blu, nga të cilat duket se dalin portrete të pastrukturuara dhe shumëngjyrëshe të mjeshtrit spanjoll, përfshirë një nga muzat e tij, Dora Marr.
Mureve u janë dhënë ngjyra të gjalla, me breshëri ngjyrash rozë, blu, jeshile, të kuqe gjaku dhe në disa dhoma ngjyrat janë në lojëra gjeometrike, ose me letër-muri të sofistikuar në nuanca pastel. Të gjitha ngjyrat në mure janë ngjyra nga veprat e Pikasos.
Një dekor i tillë zbukuron tani tre katet e muzeut, një ndërtesë në një stil të pazakontë të klasicizmit që ndodhet në lagjen luksoze pariziane të Marais.
Drejtoresha e muzeut, Cecile Debré, tha se ajo nuk dëshiron që muzeu të jetë një lloj mauzoleumi për artistin e madh, por të jetë “një derë për debate dhe reflektime të reja mbi veprën e Picasso-s, e cila ka ruajtur vitalitetin e saj”.
Në muze gjenden vepra të periudhave të ndryshme të krijimit artistik të Pikasos, nga piktura “Vajza nga Avignon”, kolazh, ndeshje me dema, periudha blu, shfaqje cirku, kubizëm e deri te qeramika.
Picasso, i lindur në Malaga, e kaloi pjesën më të madhe të jetës në Francë, ku vdiq më 8 prill 1973.
Pesëdhjetëvjetori i vdekjes së tij do të përkujtohet gjatë gjithë vitit me më shumë se 40 ekspozita në mbarë botën dhe konferenca të shumta dhe një simpozium ndërkombëtar në Organizatën e OKB-së për Arsim, Kulturë dhe Shkencor (UNESCO) me seli në Paris.
Pablo Picasso (1881-1973) ishte një artist – piktor, skulptor, vizatues dhe grafist, një nga më të mëdhenjtë e shekullit të 20-të, i cili gjysmën e jetës së tij e kaloi në Francë. Ai është, së bashku me Georges Braque, një nga themeluesit e kubizmit.
Ai konsiderohet si një nga piktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Pikturat më të famshme të Pikasos janë, përveç monumentit “Guernica” (1937) dhe veprës “Vajza nga Avignon” (1907), kanavacat që konsiderohen si vepra e parë kubiste, si dhe “Fëmija me një pëllumb në duar. ” (1901), “Familja e akrobatëve” (1905), “Nudo” (1910), “Gruaja me kitarë (1911-1912), “Violinë” (1914) dhe “Pasqyra” (1932)./FolDrejt/