Muzeu Hermitage me famë botërore në Shën Petersburg të Rusisë kërkon kthimin e 25 veprave artistike që i dërgoi në Milano për t’i prezantuar në një ekspozitë.
Muzeu Hermitage me famë botërore në Shën Petersburg të Rusisë kërkon kthimin e 25 veprave artistike që i dërgoi në Milano për t’i prezantuar në një ekspozitë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas lajmit të “Corriere della Sera”, një nga gazetat kryesore në Itali, drejtori i Muzeut Hermitage, Mikhail Piotrovksy ka dërguar një letër duke kërkuar që veprat e ekspozuara aktualisht në ambiente të ndryshme në Milano të kthehen menjëherë në muzeun e Shën Petersburgut.
Thuhet se numri i veprave të dërguara nga Muzeu Hermitage për t’u ekspozuar përkohësisht është 25, përfshirë pikturat e piktorit italian, Tiziano, i cili ka jetuar në shekullin e 16-të.
Sipas gazetës në fjalë, ky hap i Muzeut Hermitage ishte një “hakmarrje kulturore” ndaj sanksioneve të Italisë dhe vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian kundër Moskës pas luftës së Rusisë ndaj Ukrainës.
Duke bërë një deklaratë për këtë temë, ministri italian i Kulturës, Dario Franceschini tha: “Ministria nuk ka asnjë autoritet në këtë drejtim. Dy ekspozita të organizuara nga Komuna e Milanos dhe Galeria d’Italia. Por, për mua është e qartë se kur pronari kërkon kthimin e veprave të tij, ato duhet të kthehen”.
Dy nga veprat e kërkuara nga Muzeu Hermitage u përfshinë në ekspozitën Tiziano në Pallatin Mbretëror në Milano. Ekspozita në fjalë hapi dyert e saj më 23 shkurt, një ditë para fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt. Ekspozita ishte planifikuar të qëndronte e hapur deri më 5 qershor.
23 punimet e tjera u ekspozuan në ekspozitën “Grand Tour” të organizuar nga “Gallerie d’Italia” në Milano.
Thuhet se shumica e veprave në fjalë janë blerë nga Rusia nga Italia në shekullin e 18-të./FolDrejt/