Numri i personave që humbën jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Rio de Janeiro të Brazilit u rrit në 111.
Numri i personave që humbën jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga shirat intensivë në rajonin Rio de Janeiro të Brazilit u rrit në 111 ndërsa punimet e kërkim-shpëtimit u ndërprenë pasi në rajon filluan sërish shirat intensivë, shkruan AA.
Sipas lajmit të G1 në Brazil, është rritur në 111 numri i viktimave dhe në 116 numri i personave të zhdukur për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në zonën malore Petropolis të Rio de Janeiros.
Pas fillimit të reshjeve intensive në rajon kanë rënë sirenat për të paralajmëruar popullatën dhe se janë ndërprerë punimet e kërkim-shpëtimit duke marrë në konsideratë motin e keq dhe sigurinë e ekipeve për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut.
Për shkak të rrëshqitjeve të dheut u evakuua lagjja “24 de Maio”. Zyrtarët bënë të ditur se janë regjistruar 116 persona të zhdukur por se nuk dihet se sa prej tyre janë gjetur, transmeton Fol Drejt.
Sekretaria e Mbrojtjes Civile e Rio de Janeiros njofton se në punimet e kërkim-shpëtimit deri më tani janë shpëtuar 24 persona ndërsa 705 të tjerë janë vendosur në strehimore.
Qendra Kombëtare e Monitorimit dhe Paralajmërimit të Brazilit ka njoftuar se ka rrezik të lartë për rrëshqitje të dheut në zonat e larta të Rio de Janeiros, kryesisht në Petropolis.
Në pamjet e pasqyruara në median sociale, pas shirave intensivë më 15 shkurt në zonën malore të Petropolis të Rio de Janeiros u regjistruan rrëshqitje dheu në zonat e larta të qytetit, ku rrugët, parqet dhe marketet u përmbytën ndërsa automjetet dhe autobusët mbetën nën ujë.
Guvernatori i rajonit, Claudio Castro tha se rajoni është përballur me reshjet më intensive që nga viti 1932.
Përmbytjet që ndodhën në vitin 2011 në qytet dhe të cilat u shndërruan në tragjedi shkaktuan mbi 900 viktima dhe më shumë se 100 të zhdukur./FolDrejt/