Vaksinimi me vaksinën e kompanisë “Johnson & Johnson” është ndërprerë në një qendër vaksinimi në Georgia të Shteteve të Bashkuara për shkak të efekteve anësore negative te disa persona të vaksinuar.
Të mërkurën, tetë persona përjetuan efekte anësore negative pas vaksinimit, bëri të ditur Nancy Nydam, zëdhënëse e Departamentit të Shëndetësisë. Një person u dërgua në spital, ndësa shtatë të tjerë u kontrolluan në qendrën e vaksinimit dhe u dërguan në shtëpi, shkruan CNN.
“Efektet ishin në përputhje me reagimet e zakonshme te të rriturit që vaksinohen me çfarëdo vaksine, por për shkak të numrit të individëve të prekur, qendra e ndërpreu vaksinimin për të bërë një vlerësim”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shëndetësisë.
Georgia është shteti i tretë i Shteteve të Bashkuara që po i hulumton efektet e vaksinës së prodhuesit amerikan, “Johnson & Johnson”. Karolina Veriore dhe Koloradoja gjithashtu e ndërprenë vaksinimin këtë javë për shkak të efekteve anësore.