Policia e Shtetit sot ka arrestuar katër persona në kufi, me ç’rast janë sekuestruar sasi lëndësh narkotike kanabis, ketaminë dhe ekstazi, të cilat të arrestuarit kanë tentuar t’i trafikonin drejt Malit të Zi.
Sipas Policisë, të arrestuarit janë: A. V., 24 vjeç, banues në Kurbin, Laç, E. H., 23 vjeç, banues në Kuçovë, N. P., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E. I., 64 vjeç , banues në Shkodër.
“Këta shtetas janë paraqitur në PKK Muriqan, në dalje të RSH-së, me automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin E. I. dhe pasagjerë shtetasit A. V., E. H. dhe N. P. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll më të imtësishëm shtetasit dhe automjetin me të cilin qarkullonin. Lëndët narkotike, së bashku me automjetin me të cilin këta shtetas qarkullonin, shuma parash dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.”, ka bërë të ditur Policia.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë./21Media