Si në të gjithë vendin, me 17 tetor procesi i votimit do të zhvillohet edhe në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, ku për momentin janë 1 mijë e 637 të burgosur.
Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka bërë të ditur për Telegrafin se do të përkujdesen për krijimin e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Siç tha ai, listat e votuesve dhe materialet do të sigurohen nga KQZ-ja.
Tutje, ai bëri të ditur se aktualisht në institucionet korrektuese janë 1637 persona të burgosur.
“Të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide. Nga ky numër i të burgosurve përjashtohen të miturit nën moshën 18 vjeçare dhe shtetasit e huaj”, tha Gashi për Telegrafin, përcjell FolDrejt.com.
Qasja në këtë shërbim varet nga kategoria të cilës i përkasin, e cila është përshkruar më poshtë, ndërsa votimi mundësohet përmes ekipeve mobile të cilat shkojnë në shtëpi apo institucionet përkatëse për të mundësuar votimin e personave që votojnë në këtë mënyrë.
Kjo përfshinë edhe të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.