Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në periudhën janar-shtator 2022, në bazë të dhënave të evidentuara nga vendimet konziliare, ka rezultuar me 1 mijë e167 raste të reja me kancer, prej tyre 292 janë me kancer të gjirit.
Shërbimi i Fizioterapisë me Rehabilitim ka trajtuar 62 pacientë me kancer gjiri, përfshirë këtu 38 tretmane dhe 24 këshillime për menaxhimin dhe parandalimin e komplikimeve eventuale të mundshme (limfedema, kufizime në lëvizje të krahut dhe dhimbje), transmeton Fol Drejt.
Në Repartin e Kimioterapisë janë ofruar shërbime për 167 mijë e 312 paciente, kurse shërbime në Repartin e Radioterapisë kanë marrë 22 mijë e 412 pacientë për periudhën janar-shtator, ndërsa tani janë duke u trajtuar 95 pacientë me rreze.
Klinika e Onkologjisë, bashkë me Shoqatën e Onkologëve, kanë planifikuar shumë aktivitete në kuadër të “Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancer të gjirit”.
Mjekët onkologë do të mbajnë ligjërata vetëdijësuese, duke përcjellë informacione lidhur me shëndetin e gjirit.
Klinika e Onkologjisë vazhdon të funksionojë me kapacitete të plota në ofrimin e shërbimeve për pacientë, në mënyrën më të mirë të mundshme./FolDrejt/