Një burrë mbi 70 vjeç nga Peja, të hënën, ka shtënë në ajër, teksa policia e ka gjetur të shtrirë me tri gëzhoja afër tij.
Policia nuk ka sqaruar nëse ishte tentativë vrasjeje apo gjuajtje në dikë dhe veprën e ka cilësuar “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por në Spitalin e Pejës ku është shtruar më pas, kanë thënë se ishte tentativë vrasjeje.
“Ka dal patrulla në vend të ngjarjes dhe policia e ka gjetur të shtrirë. I është gjetur arma dhe tri gëzhoja të zbrazëta. Vepra është cilësuar shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje. Personi është dërguar në Spitalin e Pejës, ku është konstatuar se nuk ka lëndime nga arma. Lënda është në procedurë të rregullt”, tha Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë në Pejë.
Në spital gjatë ekzaminimit të tij është konstatuar se ai vuan nga depresioni dhe e është hospitalizuar në Repartin e Psikiatrisë.
“Pacienti ka sëmundje kronike dhe është gjendje depresioni. Ka dashur të bëjë vetëvrasje, por nuk e ka realizuar. Vetëm ka gjuajt me armë në ajër ashtu si na tha edhe ai vet. Ndoshta ju kanë dridhur duart e nuk ka arritur. Por thjeshtë ishte në depresion që iu ka shkaktuar për shkak të problemeve të shumta shëndetësore nga dhembjet e sëmundjeve kronike. E kemi ndalur në repart dhe po e trajtojmë dhe jemi duke e përcjell, derisa të stabilizohet”, tha Muhamet Haliti, shef i Repartit të Psikiatrisë në Spitalin e Pejës.