Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, u bëri thirrje vendeve të pasura që të mos bëjnë blerje shtesë të vaksinave kundër koronavirusit pasi mund të pengojnë përpjekjet për të filluar vaksinimet në vendet e varfra.
“Disa vende me të ardhura të larta aktualisht po u afrohen prodhuesve për të siguruar më shumë vaksina, gjë që ndikon në marrëveshjet me mekanizmin COVAX. Dhe madje shuma që ishte caktuar për mekanizmin COVAX u reduktua për shkak të kësaj”, tha Tedros.
Tedros u bëri thirrje vendeve me të ardhura të larta që para se të bëjnë ndonjë kërkesë për vaksina nga ndonjë prodhues të vaksinave të sigurohen se blerjet e tyre shtesë nuk do të minojnë marrëveshjet e bëra me mekanizmin COVAX.
Sipas tij, nëse ky virus nuk mposhtet “kudo”, atëherë ai nuk do të mposhtet “globalisht”.
COVAX, nisma e udhëhequr nga OKB-ja që po financon vaksinat për vendet në zhvillim dhe vendet e varfra, po planifikon të fillojë shpërndarjen e vaksinave më vonë këtë muaj.
Nisma deri më tani ka nënshkruar kontrata me prodhuesit AstraZeneca, BioNTech dhe Instituti Serum i Indisë, si dhe nga fundi i këtij muaji deri në mes të vitit 2021 planifikon të shpërndajë deri në 337 milionë doza të vaksinës në mbi 130 vende.