Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, sot do të organizojë Konferencë Shkencore me temë “Gjenocidi dhe masakrat e Serbisë në Kosovë (1998-99)”, ka bërë të ditur akademiku, njëherësh ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Ai deklaroi se në këtë konferencë do të prezantohen 21 kumtesa nga studiues vendorë si dhe nga ata ndërkombëtarë.
“Konferenca do të fillojë me Videon: Masakrat serbe në Kosovë 1998-1999 në kujtesën e të mbijetuarve (e përgatitur nga Radiotelevizioni i Kosovës, përzgjedhur në bashkëpunim me ASHAK), ndërkaq, në përmbledhjen e punimeve do të përfshihen edhe mbi njëzetë rrëfime të të përjetuarve nga masakrat e Serbisë”, ka thënë Isa Mustafa përcjell Fol Drejt.
Akademiku Isa Mustafa tha se në kumtesa dhe rrëfime të dokumentuara do të dëshmohet e vërteta shkencore dhe historike mbi gjenocidin, masakrat dhe dhunën e Serbisë, me objektiv që kryerësit e krimeve të japin përgjegjësi.
Konferenca pritet të fillojë në orën 10:00, transmeton Fol Drejt.