Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se imazhet rrëqethëse të sulmeve ruse në Ukrainë përcjellin një kujtesë të vështirë e një të kaluar të errët për popullin e Kosovës.
“Shikimi i imazheve rrëqethëse të sulmeve pa dallime dhe çnjerëzore ndaj civilëve të pafajshëm ukrainas, dhe qëndrueshmëria e guximshme e atyre që luftojnë për jetën e tyre dhe mbrojnë shtetësinë e tyre, ka qenë një kujtesë e vështirë e një të kaluare të errët për popullin e Kosovës”.
“Kosova i di shumë mirë pasojat e lëshimeve të bëra në kurriz të një populli të pafajshëm. Zbutja e hershme e Sllobodan Millosheviçit rezultoi në luftëra të shumta të përgjakshme në ish-Jugosllavi të ndjekura nga një regjim gjenocidal, të gjitha në emër të dëshirave fashiste për të krijuar një “Serbi të Madhe”. Dhuna çoi në qindra mijëra vdekje, përdhunim të dhjetëra mijëra grave dhe shpërngulje të miliona”.
Madje, ajo thotë teksa sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, në zemër të Evropës është një tjetër kërcënim nën kthetrat e ngulitura thellë nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Ndërsa sytë e botës janë përqendruar me të drejtë tek Ukraina, këtu në zemër të Evropës, ne kemi një tjetër kërcënim të rëndësishëm që gjëmon nën sipërfaqe. Zoti Putin i ka kthetrat e tij të ngulitura thellë dhe fort në rajonin tonë përmes ndikimit që ushtron mbi përfaqësuesin e tij, Serbinë, e cila ka intensifikuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi”.
Osmani, në një opinion për “The Economist”, ka vlerësuar se marrëdhënia e Rusisë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, duhet të ngrejë alarm nga Ankaraja në Lodër dhe nga Berlini në Washington.
“Marrëdhënia e Rusisë me liderët më luftarak dhe problematikë të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, nuk është sekret. Niveli i mbështetjes ushtarake dhe politike që Rusia i ofron Serbisë, në veçanti, është i rëndësishëm dhe duhet të ngrejë alarmin nga Ankaraja në Londër dhe nga Berlini në Washington”.
“Në vitin 2012, para se Vuçiq të vinte në pushtet, Serbia kreu dy aktivitete ushtarake me aleatin e saj lindor. Pas gati një dekade të udhëheqjes së tij, numri i këtyre llojeve të aktiviteteve është rritur në mënyrë eksponenciale. Partneriteti midis dy vendeve është kaq vendimtar për të dyja palët, dhe blerja dhe donacionet e armatimit të rëndë aq të konsiderueshëm, sa Moska ka hapur një zyrë të mbrojtjes në Beograd dhe një qendër “humanitare” në Nish që ka pikëpyetje të rëndësishme për misionin e saj të pretenduar. Nuk është çudi që Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së ka deklaruar se Serbia ofron “mjedisin më lejues” për ndikimin rus në rajonin tonë”.
Mes tjerash, Osmani ka folur edhe për refuzimin e Serbisë që të rreshtohet kah vendet demokratike në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
“Refuzimi i drejtpërdrejtë i Serbisë i sanksioneve kundër Rusisë, si rrjedhim, nuk është befasi dhe zbulon se ku qëndron vërtetë besnikëria e saj. Tani është koha për të folur qartë se ku qëndrojmë: Kosova dhe partnerët e saj në mbarë botën janë në anën e Ukrainës, ndërsa Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e zotit Putin”, tha Osmani./Klankosova.tv/