Anëtarët e Parlamentit të BE-së të enjten i bënë thirrje Francës që të ndalojë dhunën e policisë kundër protestuesve që kundërshtojnë reformën e diskutueshme të pensioneve të qeverisë, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
Më shumë se 20 eurodeputetë nga grupi i majtë mbajtën një demonstratë përpara ndërtesës së Parlamentit të BE-së në Bruksel duke mbajtur pankarta ku thuhej, “Ndaloni dhunën policore në Francë”, sipas fotove të shpërndara në Twitter nga eurodeputetja franceze Leila Chaibi.
Ajo akuzoi policinë franceze për përdorimin e “represionit të egër” ndaj protestuesve.
Grupi i majtë shkroi në Twitter: “Ndërsa njerëzit në Francë ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për të protestuar, ata janë përballur me dhunë policore. Sot, eurodeputetët dërguan një mesazh kundër brutalitetit të policisë nga Parlamenti Evropian. Nuk ka më justifikime, ne nuk mund të bëjmë si të verbuar përball abuzimeve me pushtetin”.
Që kur qeveria franceze njoftoi projektin e reformës në janar, punëtorët dhe sindikatat kanë shprehur zemërim në rritje duke mbajtur demonstrata.
Protestat u kthyen në të dhunshme pasi presidenti Emmanuel Macron vendosi më 16 mars të përdorë fuqitë kushtetuese për të anashkaluar procesin parlamentar dhe për të miratuar me forcë projektligjin e pensioneve.
Disa grupe i shtuan aktet e tyre vandaliste gjatë protestave dhe policia ndërhyri me forcë.
Projekti i reformës përfshin rritjen e moshës së daljes në pension nga 62 në 64 deri në vitin 2030, duke kërkuar të paktën 43 vjet punë për t’u kualifikuar për një pension të plotë. /FolDrejt/