Trajneri aktual i Valladolidit, Juan Jose Rojo Pacheta, 55 vjeç, është shkarkuar pasi ekipi i tij pësoi gjashtë gola në Santiago Bernabeu.
Për këtë ndarje u fol edhe më herët, e kjo ndodhi pas ndeshjes së humbur të xhiros së 27-të të La Ligës spanjolle, në të cilën Reali mposhti Valladolidin me rezultat 6:0 në Madrid.
Kjo e çoi Valladolidin në buzë të zonës së rrezikut. Aktualisht ata janë në vendin e 16-të në tabelë, por janë vetëm një pikë përpara klubit që aktualisht ndodhet në zonën e rënies. Nga mesi i shkurtit Valladolidi ka fituar vetëm një herë në kampionat dhe në tre xhirot e fundit ka shënuar dy humbje dhe një barazim.
Pacheta është trajner në Valladolid që nga qershori i vitit 2021 dhe ka drejtuar skuadrën në 75 ndeshje zyrtare, 42 herë në kategorinë e dytë, 27 herë në La Liga dhe gjashtë herë në Kupën e Mbretit. Deri më tani, klubi nuk ka folur zyrtarisht për pasardhësin e tij, transmeton Fol Drejt.