Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të rihapet Linja e Jetës, që është linje për parandalimin e vetëvrasjeve. Ky vendim i Komunës së Prishtinës ka ardhur pas rastit të djeshëm ku një vajzë 20-vjeçare humbi jetën si pasojë e rrëzimit nga një ndërtesë në Prishtinë.
Ahmeti ka shkruar në Facebook se ndihma profesionale është shpëtuese e jetës në raste të depresionit dhe vështirësive të tjera.
“Fatkeqësisht këto ditë kemi pas edhe një rast të vetëvrasjes e që nuk është rasti i parë në shoqërinë pa marr parasysh pandeminë. Nuk paragjykoj as rrethanat e as detajet e rastit, por ndihma profesionale është shpëtuese e jetës në raste të depresionit e vështirësive tjera”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se izolimi dhe karantinimi mund vetëm të shtojnë vështirësitë e njerëzve, prandaj thekson se Komuna e Prishtinës ka inkurajuar aktivitete nga shtëpia që mund të ndihmojnë në këtë drejtim.
“Por këtë javë zgjerojmë edhe aktivitetin e ndihmën. Në bashkëpunim me QIPS, do të ristartojmë Linjen e Jetes, që është linje për parandalimin e vetëvrasjeve. Kjo është ndihmë profesionale, dhe në qoftë se njihni dikënd, ndihma më e madhe është që t’i udhëzoni të kërkojnë ndihmë profesionale”, ka shkruar kreu i Prishtinës.