Të paktën 32 persona humbën jetën dhe dhjetëra u plagosën pasi dy trena u përplasën në veri të Greqisë, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Një tren me rreth 350 pasagjerë u përplas me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt pranë qytetit të Larisës. Ekipet e shpëtimit punuan gjatë natës për të gjetur të mbijetuar, tha departamenti i zjarrfikësve.
Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në Selanik kur u përplas me një tren tjetër, duke shkaktuar flakë të paktën në një nga vagonët.
Një pasagjer i mbijetuar përshkroi se si vagoni në të cilën ndodhej u përfshi nga flakët pasi u përmbys pas aksidentit.
“Dëgjuam një zhurmë të madhe,” tha pasagjeri Stergios Minenis.
“Ishin një makth 10 sekonda. U rrotulluam në vagon derisa ramë në krah… Pastaj u bë panik. Kavo, zjarr, që u shfaq menjëherë. Ndërsa u rrotulluam, po digjeshim. Zjarri ishte djathtas dhe majtas”, tha Minenis.
“Për 10, 15 sekonda ishte kaos. Përmbysje, zjarre, kabllo të varura, xhama të thyer, njerëz që bërtisnin, njerëz të bllokuar.”
Një tjetër pasagjer i quajtur Angelos Tsiamouras tha për mediat lokale se përplasja u ndje si një tërmet.
“Ishte një përplasje shumë e fortë”, tha për televizionin shtetëror guvernatori i rajonit të Thesalisë, Kostas Agorastos. “Është një natë e tmerrshme… Është e vështirë të përshkruhet skena”, shtoi ai.
Pamjet e pasojave të përplasjes tregojnë shtëllunga të dendura tymi që ngriheshin nga treni i dalë nga shinat. Të paktën njëri prej tyre u shkatërrua plotësisht. Në vendngjarje ndodhen rreth 150 zjarrfikës dhe 40 autoambulanca.
Kushtet për shpëtimtarët ishin “shumë të vështira” për shkak të “përplasjes së ashpër”, u tha gazetarëve zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës Vassilis Varthakoyiannis.
“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në jetën time. Është tragjike. Pesë orë më vonë, ne gjejmë trupa,” tha një shpëtimtar i rraskapitur që doli nga rrënojat për agjencinë e lajmeve AFP.
“Po përjetojmë një tragjedi. Po nxjerrim njerëz të gjallë, të plagosur… ka të vdekur. Do të jemi gjithë natën këtu, derisa të mbarojmë, derisa të gjejmë personin e fundit”, tha një tjetër shpëtimtar vullnetar për televizionin shtetëror ERT. /FolDrejt/