Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e ka paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë.
“PDK-ja padit ZRRE-në dhe inicion komision hetimor parlamentar për keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove nga qeveria në krizën energjetike”, thuhet në njoftimin e kësaj partie në Facebook.
“Partia Demokratike e Kosovës, duke vepruar në mbrojtje të interesit publik, sot ka parashtruar Padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), me të cilin janë aprovuar tarifat e reja të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë”.
Sipas PDK-së, ky vendim i ZRRE-së duhet shqyrtuar në gjykatë, për shkak që katër komuna veriore nuk janë përfshirë në strukturën e re tarifore, duke bërë diskriminim në bazë vendbanimi dhe duke e cenuar shtrirjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës.
“Vendimi i ZRRE-së meriton shqyrtim gjyqësor në gjykatën kompetente, pos tjerash, edhe për faktin e mospërfshirjes në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike – të katër komunave veriore, duke diskriminuar kështu qytetarët e pjesës tjetër të vendit”.
“ZRRE-ja, duke mos përfshirë në strukturën e re tarifore të pagesës së energjisë elektrike, katër komunat veriore, përveç diskriminimit mbi bazën e vendbanimit, ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në cenimin e parimit të sundimit të ligjit dhe shtrirjes së sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të shtetit”.
Kjo parti po ashtu ka kërkuar që të iniciohet komision hetimor parlamentar për t’u hetuar vendimet e qeverisë, për të cilën PDK-ja ngreh dyshime për keqpërdorimin e dhjetëra miliona eurove në muajt e krizës energjetike.
“Vendimi i kontestuar, po ashtu ka të meta në pikëpamje të plotësimit të kushteve ligjore të procedurës administrative të cilat sigurisht do të argumentohen dhe provohen në procedurën kontestimore në Gjykatë”.
“Vendimi i Partisë Demokratike të Kosovës për të paditur Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, vjen pasi Grupi Parlamentar ka parashtruar edhe kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, në të cilin do të hetohen vendimet, veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë dhe institucioneve të tjera, në raport me menaxhimin e sektorit të energjisë, veçanërisht në muajt e krizës energjetike në të cilën u keqpërdorën dhjetëra miliona euro, pa plan, pa strategji, pa transparencë dhe në mënyrë të kundërligjshme”.