Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës (MFK), përmbylli të enjten, në Prishtinë turin e sesioneve informative për programin e bursave “WE / Gratë në Energji”.
Përmes këtij programi, 25 vajza dhe gra kosovare do të kenë mundësi të përfitojnë bursa të plota të studimeve dhe qëndrimit 2-vjeçar në Iowa të SHBA dhe kolegje tjera të akredituara.
Burim Hashani, drejtor i Programit të Energjisë në MFK, në hapjen e sesionit informativ prezantoi qasjen e MFK-së për uljen e pabarazisë gjinore në sektorin e energjisë përmes projekteve të ndryshme në këtë sektor.
Programi i bursave WE / Gratë në Energji, ka thënë ai, është program që synon të adresojë një çështje alarmante në sektorin e energjisë në Kosovë, pjesëmarrjen ë ultë të grave në këtë sektor.
Programi do të mbështesë gratë dhe vajzat të avancohen nga ana profesionale dhe lehtësojë procesin e gjetjes së punës në këtë sektor.
Ndërkaq, për programin e ardhshëm për gratë ndërmarrëse, Hashani tha se ky program do të aspirojë t’i ndihmojë gratë që ta ulin koston e veprimtarisë së tyre ndërmarrëse përmes uljes së kostos së energjisë.
Kevin Mitchell, përfaqësues nga MCC, prezantoi programin ‘Threshold’ nga MCC për Kosovën, si dhe rezultatet shqetësuese të dala nga sondazhi i pjesëmarrjes në punë. Mitchell tha se një nga aspiratat e këtij agjensioni është rritja e participimit të grave në sektorin e energjisë. Ai tha se kjo shanse për të studiuar në SHBA u mundëson grave dhe vajzave nga Kosova ngritjen e tyre profesionale e personale, si dhe kthimin Kosovë për të kontribuar në zhvillim të mëtejshëm ekonomik.
Kurse, Gresa Statovci, konsulente për punë praktike dhe bursa në MFK, i prezantoi detajisht të gjitha informacionet lidhur me procesin e aplikimit për bursa në DMACC, Iowa. Ajo përfundoi sesionin duke ndarë me vajzat përvojën personale si bursiste në SHBA, inkurajoi ato ta shfrytëzojnë këtë mundësi për zhvillim të aspektit profesional.
Periudha për aplikim për bursë të plotë për avancim profesional në sektorin e energjisë mbetet e hapur deri më 7 Prill, 2019. Detajet rreth procesit të aplikimit mund të gjenden në faqen e Millennium Foundation Kosovo (https://millenniumkosovo.org/) dhe në të gjitha rrjetet sociale të MFK.
Vajzat dhe gratë pjesëmarrëse shprehën interesim të madh për këtë mundësi shkollimi në DMACC të Iowa-s në SHBA. Turneu informativ nëpër komuna është organizuar në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare ARDA-RDA.