Pesë persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës këtë vit në Kosovë si dhe kanë ndodhur 81 aksidente, ku prej tyre 45 janë kategorizuar si lëndime të rënda.
Të dhënat e Inspektoriatit të Punës flasin për të gjithë sektorët por në ndërtimtari situata paraqitet më e vështirë pasi lëndimet në këtë sektor janë më të shpeshta si pasojë e lartësisë në të cilën punojnë punëtorët.
Zëvendësinspektori i punës, Agim Millaku, ka thënë se siguria në punë në sektorin e ndërtimtarisë nuk është në nivelin e kërkuar, përkundër përpjekjeve që thotë se po i bëjnë vazhdimisht.
Vetëm këtë vit në këtë sektor kanë humbur jetën katër punëtorë si dhe kanë ndodhur dhjetëra aksidente si pasojë edhe e mosrespektimit të rregullave të punës që përfshin edhe vendosjen e pajisjeve mbrojtëse.
Përpos rasteve fatale, zëvendësinspektori i punës thotë se në të gjithë sektorët këtë vit janë shënuar edhe 81 aksidente të tjera në vendin e punës. 36 prej tyre konsiderohen si lëndime të lehta dhe kjo pasi punëtori është paraqitur në punë brenda tri ditësh, ndërsa 45 lëndime të tjera janë kategorizuar si të rënda.
Millaku, u shpreh se, “Por nuk janë krejt në ndërtimtari i kemi të ndara kështu në sektorë por në të gjitha lemitë që i ndjekim edhe kemi pasur një numër bukur të madh të aksidenteve nga shpërthimi i bombolës në Ferizaj, kemi pasur në kohët e fundit edhe në prodhim, kemi pasur edhe në tregti”.
Sipas legjislacionit aktual, Inspektorati i Punë mund të gjobisë deri në 25 mijë euro kompanitë, por Millaku thotë se duhet të shteren të gjitha mënyrat për të parandaluar aksidentet në vendin e punës.
Tutje ai u shpreh, “Këshilla ime kish me qenë mos ta presim pasi të ndodhë por të veprojmë para se të ndodhë, të gjithë të bëhemi bashkë dhe ta zbusim këtë situatë sa kemi mundësi”, tha Millaku.
Zëvendësinspektori i punës në këtë intervistë theksoi edhe rëndësinë e trajnimit të punëtorëve, sidomos atyre me të rinj në moshë, për rëndësinë e sigurisë në punë.