Midis të vdekurve
Nga: Edon Thaqi
Rrjedh koha si Akeront
e mat veç krijimtaria e Chopinit:
valsi i shiut e pylli misterioz
Akropoli im si mbas një lufte…
Pelegrinazhi i shpirtit drejt jetës
është prillit siç tha Elioti
por pelegrinazhi drejt vdekjes
dëshmoj se është tetori
…
Syri i hënës së re
më vëmendje më vështronte
kënga a do të merrte hov
a do të mund të fluturonte
Flegërijnë vargjet e shpirtit
si llava e Vezuvit mbi periferitë
fjalët e para rryfeshëm më dalin
“Vrasësin tim e njoh, për krenari”
Në pirjen e lotit hedhi ca flutura
se kënga më mbeti në fyt
vrasësi im është i gjallë
vrasësi im është ende aty:
Këndon me piano
në qyteti e të shurdhërve
e shet pasqyra për të verbërit
Bijë e Poseidonit
mendon se i takon detit
tek i cili nis monologun e harreses
por kjo përrallë është më e gjatë
se tek njëmijë e një netët
Mendon se errësira
është në miqësi me të
është adaptuar me vetminë
veç hijet e tradhtojnë
kur Zeusi hedh rrufetë
e Meduzën që kokën
ja ka kapluar, ja godetë
…
Akropoli im është i rrënuar
Ares koha Apollonin ma asgjësojë
Pres të më vije një Karont
t’më nxjerr nga ky Had
pyes veten a do shpëtoj
Edhe kjo natë erdhi
midis të vdekurve
me gurin e Sizifit
mbi shpinë më gjeti
Mendohem t’i njehi ditët
nga ajo ditë
Vjeshtë, shi e gjethe
vijë e bijnë mbi trungun tim
s’kam nevojë t’iu them sa i dua
e dinë sikurse e din ti
Edhe këtë qytet
që dikur thuhej se kishte lumë
e që po ma rrëmben çdo moment
që fati me ty ma fali dikur
E dashuroj duke e urryer shumë
E di sigurt kur ishte ai moment
kishte shi atë ditë
kur në mendjet tona u kryqëzuan të njëjtat pyetje e mendime
Isha i gjithë përgjigjja për ty
Ishe e gjithë përgjigjja për mua
Por jeta kishte rezervuar tjetër fat
mbetem dy të dashuruar
duke tentuar për t’u harruar
Të dashurova si një Karamazov
I pasionuar, mizantrop e filantrop
por nuk ndodhi asgjë
ç’mund të ndodhte
e ndiej mallkim markezian
ndoshta duhet të kalojnë
më shumë se pesëdhjetë vite
dy të dashuruar me u bë bashkë
Po shoqërohem veç me te vdekurit
se në heshtjen e tyre gjej sekretin e jetës, e më bëhet zë që flet
Ja Dostojevski:
Gjithçka na lejohet,
se jemi si dy armiqë, në dashuri
të urrej se veç teje
s’mund të dua tjetër njeri…
Po kur në kokë më shkrepë
vetëtimthi një varg i Asafit
“Po sikur do ta dua dikë tjetër?”
e ndiej se tërë jetën do të mallkoj
nëse më ndodh të të harroj
E ndiej
Natë e gatë më pret sonte
sa nata e kristaltë e çifutit
e ndiej se si vargu i Mahmudit
ma pushton krejt trupin:
“Ne thamë s’kemi me u nda
veç me vdekje, por vdekja vonoi
shumë dhe ne u ndamë”
E mbeta ashtu si isha
një bishë e egër e pyllit,
Ujk, që ulurinë veç një kangë:
Të deshta, of sa të deshta
si një gjethe që s’lëkundet
e s’më hedh tutje as vjeshta
Mendoja se me mjafton
Piktura, muzika, natyra e poezia
por kam mbetur duke bredhur
si një Edip pa sy
si një Alkimen
për jetë i burgosur tek ti
si pikturat:
Klithmë e Anguish
duke këndur këngën e veçfilluar:
“Vrasësin tim e njoh, për krenari”
“Vrasësin tim e njoh, për krenari”/FolDrejt/